Protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.
Mes gazetarëve që kanë ndjekur zhvillimet është edhe Isa Soares, e cila ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga një prej protestave të zhvilluara më 13 qershor në Tiranë.
Në një publikim në Instagram Story, Soares ndau fotografi dhe materiale të marra nga burime mediatike shqiptare, duke evidentuar mobilizimin e protestuesve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në tubim.
Në imazhin e publikuar shfaqej mesazhi:
“Sot më shumë se kurrë, të gjitha qytetet bashkë”.
Protestat, të cilat sipas organizatorëve kanë vijuar për më shumë se dy javë, janë pasqyruar edhe nga media të tjera ndërkombëtare, duke u fokusuar te kërkesat e protestuesve, debatet mbi projektet e zhvillimit turistik dhe përplasjet politike që kanë shoqëruar ngjarjet e fundit në vend.
Publikimi i gazetares së CNN-së vjen në një kohë kur protestat dhe reagimet politike në Shqipëri po marrin jehonë edhe jashtë vendit, veçanërisht në mediat që ndjekin zhvillimet në Ballkan.
