Atentat në Meksikë, ekzekutohet kryebashkiaku i San Miguel Amatitlán

Data

Kryebashkiaku i qytetit San Miguel Amatitlán, në shtetin jugor meksikan të Oaxaca-s, është vrarë në një atentat të armatosur që ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet vendase.

Sipas zyrës së prokurorit të Oaxaca-s, Joel Angel Bravo Martinez humbi jetën pas një sulmi të kryer nga persona të armatosur, ndërsa detajet mbi rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Guvernatori i Oaxaca-s, Salomón Jara Cruz, reagoi menjëherë duke dënuar atë që e cilësoi si një “vrasje frikacake” dhe duke garantuar se autorët do të përballen me drejtësinë.

“Ne nuk do të lejojmë që dhuna të mbizotërojë mbi ligjin dhe vullnetin e qytetarëve”, deklaroi guvernatori në një reagim publik.

Pas atentatit, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë sigurie në zonë. Forcat lokale dhe federale po bashkëpunojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore të rajonit.

Oaxaca konsiderohet një nga zonat më problematike të Meksikës për shkak të pranisë së grupeve kriminale dhe karteleve të drogës, përfshirë Karteli Sinaloa dhe Karteli Jalisco New Generation, të cilat prej vitesh përplasen për kontrollin e rrugëve të trafikut të drogës.

Vrasja e Bravo Martinez i shtohet një serie sulmesh ndaj zyrtarëve lokalë në Meksikë. Sipas statistikave zyrtare, që prej vitit 2006, kur autoritetet meksikane nisën ofensivën kundër karteleve të drogës, rreth 100 kryetarë bashkish janë vrarë në të gjithë vendin.

Ngjarja ka rikthyer debatin mbi sigurinë e zyrtarëve lokalë dhe ndikimin e grupeve kriminale në jetën politike të Meksikës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related