Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit pritet të nënshkruhet gjatë ditës së sotme, duke shprehur optimizëm për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se administrata amerikane pret të punojë ngushtë me Iranin dhe vendet e Lindjes së Mesme në vitet e ardhshme, ndërsa theksoi se procesi i negociatave po shkon drejt një përfundimi pozitiv.
“Presim me padurim të punojmë me Iranin dhe me të gjithë Lindjen e Mesme për shumë vite në vijim”, shkroi presidenti amerikan.
Trump u shpreh gjithashtu i gatshëm për një takim me Udhëheqësin Suprem iranian, Ali Khamenei, duke lënë të kuptohet se marrëveshja mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas tij, pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjitha vendet, një zhvillim që mund të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe sigurinë rajonale.
Presidenti amerikan shtoi se shpreson që procesi të ecë “shpejt, lehtë dhe pa probleme”, por paralajmëroi se SHBA-ja ka alternativa të tjera në rast se negociatat nuk arrijnë rezultatin e dëshiruar.
“Shpresojmë që ky proces të ecë shpejt, lehtë dhe pa probleme. Nëse kjo nuk ndodh, ne kemi alternativën përfundimtare, të cilën shpresojmë të mos na duhet ta përdorim më kurrë”, deklaroi Trump.
Deklaratat e presidentit vijnë në një moment tensionesh dhe negociatash intensive mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet që mund të ndikojnë në stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe sigurinë globale
