Një nga momentet më prekëse të protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë ishte dëshmia e hallës së Erionit, një i ri që humbi jetën pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar.
Mes emocioneve të forta dhe lotëve, ajo mori fjalën përpara mijëra protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke rrëfyer dhimbjen e familjes së saj dhe duke ngritur akuza të rënda ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas saj, përgjegjësia për humbjen e jetës së nipit nuk bie vetëm mbi autorin e krimit, por edhe mbi sistemin që dështoi ta shpëtonte.
“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital”, deklaroi ajo mes lotësh.
Fjalët e saj shkaktuan reagime të forta mes pjesëmarrësve, të cilët e pritën me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.
Ajo e përshkroi dhimbjen e familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre si një plagë të hapur të shoqërisë shqiptare, duke theksuar se lotët e nënave shqiptare janë dëshmia më e rëndë e problemeve që, sipas saj, po kalon vendi.
“Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare”, tha ajo.
Më tej, halla e Erionit tregoi se është mësuese dhe poete, por prej muajsh, sipas saj, çdo varg dhe çdo fjalë është mbushur me dhimbjen për humbjen e nipit.
“Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do të shërohet kur të shërohet Shqipëria”, u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, ajo u bëri thirrje drejtuesve të vendit të largohen, duke deklaruar se vetëm kështu Shqipëria mund të gjejë rrugën e shpëtimit dhe të ndryshimit.
“Shporruni që të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!”, përfundoi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Fjalimi i saj u kthye në një nga momentet më të komentuara të protestës, duke sjellë në qendër të vëmendjes dhimbjen e familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe kërkesat për më shumë siguri, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi.
