“E çova në shkollë dhe nuk mu kthye më”, nëna e Martin Canit mesazh prekës në protestë: Kam 18 muaj në rrugë duke kërkuar drejtësi

Data

Një nga momentet më emocionale të protestës së sotme në Tiranë ishte fjalimi i nënës së Martin Canit, 14-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht pas një ngjarjeje të rëndë pranë një shkolle në kryeqytet.

Mes qindra protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ajo mori fjalën për të kujtuar djalin e saj dhe për të kërkuar drejtësi, siguri dhe përgjegjësi për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Me emocione të forta, ajo tregoi dhimbjen që vazhdon ta shoqërojë prej muajsh.

“Kam ardhur këtu për fëmijën tim dhe për të gjithë fëmijët shqiptarë, kudo që janë. Duam siguri për fëmijët tanë. Unë e çova djalin në shkollë dhe ai nuk mu kthye më,” u shpreh ajo.

Nëna e Martin Canit tha se prej 18 muajsh vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa akuzoi institucionet për mungesë përgjegjësie dhe dështim në garantimin e sigurisë.

“Kam 18 muaj në rrugë duke protestuar. Sot më mbushet zemra kur shoh kaq shumë të rinj dhe qytetarë që kërkojnë drejtësi. Duam drejtësi në gjykata, duam rend dhe siguri për fëmijët tanë,” deklaroi ajo.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje të gjata nga pjesëmarrësit, ndërsa shumë qytetarë u prekën nga dëshmia e saj dhe mesazhi për mbrojtjen e fëmijëve.

Prania e nënës së Martin Canit në protestë u konsiderua nga shumë protestues si një kujtesë e dhimbshme për nevojën e forcimit të sigurisë në shkolla dhe rritjes së përgjegjshmërisë së institucioneve publike.

Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 14-të radhazi, vijon me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Tirana, rrethet dhe diaspora, ndërsa kërkesat kryesore mbeten dorëheqja e qeverisë, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët.

Mes pankartave, flamujve dhe thirrjeve të protestuesve, fjala e nënës së Martin Canit u shndërrua në një nga momentet më të forta dhe më prekëse të mbrëmjes, duke rikthyer në vëmendje kërkesën për drejtësi dhe mbrojtjen e jetës së fëmijëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related