“Jo 2 mijë, por 200 mijë deri sa të ketë drejtësi”/ Qytetarët vijojnë marshimin, protesta hyn në ditën e 12-të

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe këtë të enjte, duke hyrë në ditën e saj të 12-të radhazi. Pas tubimit para Kryeministrisë, qindra qytetarë marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe hetimin e zyrtarëve të lartë për çështje që lidhen me korrupsionin dhe qeverisjen e vendit.

Marshimi u zhvillua përgjatë “Rrugës së Kavajës” dhe akseve të tjera të Tiranës, ndërsa protestuesit mbanin pankarta dhe brohorisnin slogane kundër qeverisë. Mes thirrjeve më të dëgjuara ishte edhe mesazhi: “Jo 2 mijë, por 200 mijë deri sa të ketë drejtësi”.

Tubimi i sotëm nisi në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë. Pas disa orësh qëndrimi para godinës së qeverisë, pjesëmarrësit vijuan protestën në rrugët e kryeqytetit, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Sipas protestuesve, lëvizja qytetare tashmë ka tejkaluar kufijtë e një proteste të zakonshme dhe ka fituar mbështetje nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Për datën 13 qershor është paralajmëruar një tjetër tubim, ku u është bërë thirrje edhe shqiptarëve të diasporës që t’i bashkohen protestës në Tiranë.

Përveç kërkesës për largimin e qeverisë, protestuesit kanë kërkuar gjithashtu veprim nga organet e drejtësisë, duke insistuar në hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë.

Me pjesëmarrje të vazhdueshme dhe tone të forta kundër qeverisë, protesta po shndërrohet në një nga mobilizimet qytetare më të diskutuara të viteve të fundit në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related