Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar deklaratat e fundit të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen në vend.
I pyetur nga gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit për qëndrimin e Spiropalit, e cila disa ditë më parë deklaroi se Shqipërisë i duhet një marrëveshje e re politike dhe shoqërore, Balla tha se nuk i ndjek rregullisht postimet e deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste në rrjetet sociale.
Ai theksoi se çdo shqetësim apo propozim duhet të diskutohet fillimisht në forumet e partisë dhe në grupin parlamentar socialist.
“Nuk ndjek postimet e të gjithë deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste. Si kryetar grupi, kushdo që ka një shqetësim apo mendim, ka mundësinë ta paraqesë në mbledhjet e grupit parlamentar”, u shpreh Balla.
Kreu i grupit socialist bëri të ditur se gjatë mbledhjes së zhvilluar paraditen e së enjtes, Spiropali nuk kishte qenë e pranishme, ndaj nuk kishte pasur mundësi të paraqiste qëndrimet e saj para deputetëve socialistë.
“Sot në mëngjes zhvilluam mbledhjen e grupit parlamentar dhe ajo nuk ishte e pranishme. Kur të vijë dhe t’i paraqesë shqetësimet e saj aty, do t’i dëgjoj me vëmendje. Më pas do të jem i gatshëm të jap çdo sqarim edhe për publikun”, deklaroi Balla.
Deklarata e tij vjen në një moment kur protestat qytetare dhe debatet politike rreth tyre kanë zënë një vend të rëndësishëm në diskutimin publik, ndërsa brenda kampit socialist po diskutohen qasjet dhe reagimet ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend.
