Zhdukja e Eglant Koçit, hetuesit nuk përjashtojnë as pistën e krimit të pasionit

Data

Hetimet për zhdukjen misterioze të 34-vjeçarit Eglant Koçi vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë edhe atë të një krimi pasioni.

Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Dorjana Bezat, policia ka grumbulluar dëshmi dhe prova që hedhin dritë mbi lëvizjet e fundit të Koçit, i cili rezulton i zhdukur prej disa ditësh në Tiranë. Për ngjarjen është shpallur në kërkim Armand Shakaj, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me fatin e 34-vjeçarit.

Bezat deklaroi se hetuesit po analizojnë me kujdes sjelljen e autorit të dyshuar pas zhdukjes, si dhe marrëdhëniet personale të viktimës. Sipas saj, një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen e grupit hetimor është fakti se e dashura e Koçit, e cila jeton në SHBA, ka alarmuar autoritetet pasi ai nuk e kontaktoi në ditën e zhdukjes, ndryshe nga rutina e tij e përditshme.

“Duket si një ngjarje e kryer nën emocione të forta dhe kjo është një nga pistat që po verifikohet”, u shpreh gazetarja, duke shtuar se policia po heton paralelisht edhe aktivitetet ekonomike të personave të përfshirë.

Sipas të dhënave paraprake, Eglant Koçi merrej me tregtimin e kriptomonedhave, ndërsa Armand Shakaj dyshohet se kishte aktivitet në fushën e huadhënies informale. Megjithatë, hetuesit nuk kanë dalë ende në një përfundim për motivin e mundshëm të ngjarjes.

Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e Armand Shakajt dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në zhdukjen e 34-vjeçarit, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse bëhet fjalë për vrasje, rrëmbim apo një skenar tjetër kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related