Gent Progni nga protesta: “Mos na provokoni, qytetarët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre”

Data

Aktivisti Gent Progni iu drejtua protestuesve gjatë tubimit të së martës në Tiranë, duke bërë thirrje për bashkim qytetar dhe vijim të mobilizimit, ndërsa akuzoi pushtetin për përpjekje për të minimizuar dhe deformuar mesazhin e protestës.

Në fjalën e tij, Progni u shpreh se protestuesit duhet të qëndrojnë të vendosur në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të mos bien pre e, sipas tij, manipulimeve apo presioneve të ndryshme.

Ai deklaroi se janë bërë përpjekje për të zbehur jehonën e protestës në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale, duke pretenduar se po përdoren mekanizma për të ndikuar perceptimin e opinionit publik.

“Kjo protestë po arrin të thyejë barrierat e komunikimit dhe të përcjellë mesazhin e qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye po bëhen përpjekje për ta minimizuar dhe për ta paraqitur ndryshe nga ajo që është në të vërtetë”, tha Progni.

Ai iu drejtua gjithashtu institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar nga prokurorët dhe gjyqtarët që të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe pavarësi.

“Kjo protestë është edhe për drejtësinë. Qytetarët presin që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë dhe që rastet e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin të hetohen deri në fund”, deklaroi ai.

Progni u bëri thirrje edhe sipërmarrjeve të vogla dhe përfaqësuesve të biznesit që, sipas tij, përballen me vështirësi dhe presione administrative, të bashkohen me reagimin qytetar.

Në fund të fjalës së tij, ai kërkoi që institucionet shtetërore të mos ushtrojnë presion ndaj pjesëmarrësve në protesta dhe u bëri apel organizmave ndërkombëtarë të ndjekin nga afër zhvillimet.

“I bëjmë thirrje kujtdo që ushtron presion ndaj qytetarëve të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Protesta është një e drejtë demokratike dhe duhet të respektohet”, u shpreh Progni.

Protesta në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related