Mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të martë në qendër të Tiranës, në ditën e dhjetë të protestave kundër projekteve të debatueshme të zhvillimit në zonat e mbrojtura dhe kundër mënyrës së qeverisjes në vend.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku organizatorët mbajtën fjalime para marshimit drejt Kryeministrisë. Në fjalën e tij, një nga organizatorët u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë, sipas tij, përfshirjen apo instrumentalizimin e protestës nga forcat politike.
Ai theksoi se protesta nuk lidhet vetëm me çështjet mjedisore, por edhe me problemet sociale, ekonomike dhe politike që prekin qytetarët shqiptarë.
“Protesta nuk është vetëm për zonat e mbrojtura, por për të gjitha problemet që përballen shqiptarët çdo ditë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos lejojmë që kjo lëvizje qytetare të devijohet nga interesat politike”, u shpreh ai.
Gjatë fjalimit u artikuluan kërkesa për dorëheqjen e qeverisë aktuale, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Organizatorët folën gjithashtu për nevojën e krijimit të një alternative të re politike, duke argumentuar se qytetarët kërkojnë përfaqësim të ri dhe ndryshim të sistemit aktual politik.
Një apel iu drejtua edhe punonjësve të administratës publike, që sipas organizatorëve duhet t’u bashkohen kërkesave qytetare për reforma dhe më shumë llogaridhënie institucionale.
Protesta u shoqërua me pankarta dhe thirrje të ndryshme kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Mes sloganeve më të dëgjuara ishin “Dorëheqje”, “Qeveri teknike”, “Shqipëri e re”, “Atdheu nuk shitet” dhe thirrje të tjera që kërkonin ndryshim politik dhe institucional.
Paralelisht me Tiranën, tubime dhe aktivitete mbështetëse janë zhvilluar edhe në disa qytete të vendit dhe në komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë. Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
