“E fuqishme dhe e suksesshme”/ Studentja nga protesta: Synojmë organizim politik dhe pjesëmarrje në zgjedhje

Data

Në ditën e nëntë të protestave qytetare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, studentja dhe aktivistja Laura Kërtalli deklaroi se lëvizja ka shënuar rritje të vazhdueshme si në pjesëmarrje ashtu edhe në mbështetje publike.

Sipas saj, protesta ka evoluar nga një kundërshtim i projektit në Zvërnec drejt një platforme më të gjerë pakënaqësie politike, ku janë artikuluar edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Ka pasur një evolucion nga dita e parë deri më sot. Fillimisht nisi si reagim ndaj projektit të Zvërnecit, por më pas u zgjerua me mesazhe politike dhe kërkesa për dorëheqje,” është shprehur ajo.

Kërtalli tha se protestuesit e konsiderojnë veten një opozitë qytetare të paorganizuar ende në një strukturë të vetme politike, por që sipas saj po fiton mbështetje çdo ditë.

Ajo bëri të ditur se studentët po diskutojnë mundësinë e krijimit të një force të re opozitare, e cila, sipas saj, nuk do të ketë lidhje me partitë tradicionale shqiptare.

“Hapi i parë është mobilizimi i studentëve dhe organizimi i diskutimeve për të përcaktuar drejtimin e kësaj lëvizjeje. Më pas mund të shqyrtohet mundësia e krijimit të një force politike të re,” deklaroi ajo.

Sipas aktivistes, objektivi afatgjatë është që kjo nismë të shndërrohet në një alternativë politike që mund të marrë pjesë edhe në zgjedhje.

Protestat kanë vijuar prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, me pjesëmarrës që shprehin kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec, ndërsa një pjesë e tyre kanë zgjeruar kërkesat edhe drejt çështjeve më të gjera politike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related