Tabaku: Protesta është reagim ndaj modelit ekonomik të 12 viteve të fundit

Data

Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se protestat qytetare të zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera lidhen me pakënaqësinë ndaj modelit ekonomik dhe qeverisës të ndërtuar gjatë 12 viteve të fundit.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku argumentoi se ekonomia shqiptare është orientuar kryesisht drejt sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa prodhimi, konkurrenca dhe sipërmarrja janë lënë në plan të dytë.

Sipas saj, ky model ka sjellë përqendrimin e pasurisë dhe mundësive ekonomike në duart e një grupi të kufizuar përfituesish, duke ulur mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrencë të ndershme.

“Për 12 vite me radhë kemi folur për vizionin e cunguar ekonomik të Shqipërisë. Një model që nuk prodhon më, që ka përqendruar ekonominë në duart e pakicës dhe ku gjithçka shkon tek ata”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi se investimet e huaja janë fokusuar kryesisht në sektorin imobiliar, duke krijuar, sipas saj, një ekonomi të mbështetur te ndërtimi dhe jo te prodhimi apo sektorët që gjenerojnë vlerë të shtuar.

Ajo argumentoi se kjo situatë ka ndikuar në dobësimin e konkurrencës dhe në kufizimin e mundësive për qytetarët dhe bizneset që të zhvillohen në bazë të meritës dhe iniciativës së lirë.

Sipas Tabakut, protestat aktuale janë shprehje e pakënaqësive të grumbulluara ndaj mungesës së garës ekonomike, ligjeve që ajo i cilësoi si të hartuara për interesa të veçanta dhe një sistemi që favorizon të privilegjuarit.

“Kjo është një protestë që lidhet me sistemin, me konkurrencën e munguar, me ligjet me porosi dhe me modelin socialist të arrogancës së të korruptuarve”, deklaroi ajo.

Reagimi i Tabakut vjen në një moment kur debati publik mbi projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura, modelin ekonomik të vendit dhe kërkesat e protestuesve vijon të mbetet në qendër të vëmendjes politike dhe mediatike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related