Delegacioni i BE mesazh për mbrojtjen e natyrës: “Mbro habitatet, para se qielli të mbetet pa këngë shpendësh”

Data

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka publikuar një mesazh sensibilizues për mbrojtjen e biodiversitetit dhe habitateve natyrore, në një kohë kur debati për projektin e Zvërnecit dhe protestat qytetare vijojnë të dominojnë diskutimin publik në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri theksoi rëndësinë e mbrojtjes së shpendëve dhe ekosistemeve natyrore, duke nënvizuar se kënga e një shpendi përfaqëson shumë më tepër sesa një tingull të zakonshëm.

Sipas mesazhit të publikuar, mbi 49 për qind e specieve të shpendëve në botë janë në rënie, një tregues shqetësues për gjendjen e ekosistemeve globale.

“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë”, thuhet në reagimin e delegacionit evropian.

Në mesazh theksohet se shpendët luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e ekuilibrit natyror, përmes shpërndarjes së farave, kontrollit të insekteve dhe mbështetjes së proceseve ekologjike. Megjithatë, humbja e habitateve dhe ndotja po shtojnë rrezikun për shumë specie.

Delegacioni i BE-së bëri thirrje për mbrojtjen e habitateve natyrore përpara se dëmet të bëhen të pakthyeshme, duke mbyllur mesazhin me apelin: “Mbro natyrën, sa je në kohë”.

Postimi është interpretuar nga shumë komentues si një mesazh që lidhet me debatin aktual mbi mbrojtjen e zonave natyrore në Shqipëri, veçanërisht pas protestave kundër zhvillimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe Nartës, ku flamingot janë kthyer në simbol të lëvizjes qytetare.

Kujtojmë se ditët e fundit, përfaqësues të institucioneve evropiane kanë përsëritur rëndësinë e respektimit të standardeve mjedisore dhe harmonizimit të legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related