Pas afro katër orësh protestë përpara godinës së Kryeministrisë, qytetarët që morën pjesë në tubimin kundër projektit të Zvërnecit kanë dhënë një mesazh qytetarie përmes një veprimi simbolik.
Menjëherë pas përfundimit të protestës dhe zhvendosjes së pjesëmarrësve drejt qendrës së Tiranës, protestuesit janë angazhuar në pastrimin e bulevardit, duke mbledhur mbeturinat dhe duke lënë ambientin të pastër.
Pamjet e shpërndara nga vendngjarja tregojnë qytetarë të moshave të ndryshme teksa kujdesen për pastrimin e hapësirës publike, një veprim që është vlerësuar gjerësisht në rrjetet sociale.
Pjesëmarrësit thanë se protesta e tyre synon të përcjellë një mesazh qytetar dhe se kujdesi për hapësirat publike është pjesë e përgjegjësisë së secilit.
Gjesti i protestuesve ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, duke u konsideruar si një shembull i sjelljes qytetare dhe respektit për mjedisin, pavarësisht toneve kritike dhe kërkesave të forta të artikuluara gjatë tubimit.
Protesta kundër projektit të Zvërnecit vijon prej disa ditësh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar aktivitete të tjera në ditët në vijim.
