Bardhi i përgjigjet Ramës: Protestat për Zvërnecin nuk i organizojnë iranianët, por qytetarët e revoltuar

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi protestat kundër projektit në Zvërnec si pjesë të një “lufte hibride” të nxitur nga aktorë të huaj.

Përmes një deklarate publike, Bardhi ironizoi qëndrimin e kryeministrit, duke theksuar se brenda pak ditësh Rama ka ndryshuar disa herë versionin e tij për organizatorët e protestave, duke përmendur fillimisht fqinjët, më pas Gazën dhe së fundmi Iranin.

Sipas deputetit demokrat, protestat kanë lindur nga pakënaqësia e qytetarëve shqiptarë dhe nuk kanë lidhje me teori konspirative apo ndërhyrje të huaja.

“Protestat nuk nisën as në Athinë, as në Gaza, as në Teheran. Protestat nisën nga Zvërneci dhe po zhvillohen edhe në kryeqytete europiane ku jetojnë shqiptarë, sepse qytetarët janë të revoltuar me mënyrën se si po qeveriset vendi”, u shpreh Bardhi.

Ai akuzoi qeverinë për shmangie të përgjegjësisë dhe përpjekje për të gjetur vazhdimisht fajtorë jashtë vendit, në vend që të përballet me problemet reale që sipas tij kanë nxitur reagimin qytetar.

Bardhi u ndal edhe te incidentet e raportuara gjatë protestave në Zvërnec, duke pretenduar se trajtimi i protestuesve ka qenë i papranueshëm dhe se skenat e dhunës kanë shtuar zemërimin publik.

“Çfarë mjerimi për një kryeministër që nuk merr asnjë përgjegjësi dhe kërkon gjithmonë fajtorin jashtë vetes. Problemi i Shqipërisë nuk janë iranianët apo teoritë e komplotit, por korrupsioni i shfrenuar që ka kapur qeverisjen”, deklaroi ai.

Në përfundim, Bardhi i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra, duke argumentuar se protestat janë pasojë e drejtpërdrejtë e pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe jo rezultat i ndikimeve të huaja.

“Mos u viktimizo para botës. Eja përballu me qytetarët dhe jep dorëheqjen. Kjo është ajo që kërkojnë protestuesit”, përfundoi Bardhi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related