Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga kompleksi luksoz “Porto Montenegro” në Tivat, duke e përdorur si shembull për të mbrojtur projektet e mëdha turistike që po kundërshtohen aktualisht në Shqipëri, përfshirë investimin e planifikuar në Zvërnec.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se investimi që transformoi ekonominë turistike të Malit të Zi u realizua nga një investitor kanadez, të cilit më herët i ishte mbyllur dera në Shqipëri kur kërkoi të ndërtonte një port turistik në Durrës.
Sipas kreut të qeverisë, refuzimi i atij projekti i kushtoi Shqipërisë një mundësi të madhe zhvillimi, ndërsa Mali i Zi përfitoi duke krijuar një nga destinacionet më prestigjioze të turizmit detar në rajon.
“Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. Na e kaluan njëherë topin për shalësh për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që s’na duan të mirën, se na kalon prapë huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, u shpreh Rama.
Duke folur nga “Porto Montenegro”, kryeministri theksoi se projekti u bë pika e kthesës për Malin e Zi, duke e nxjerrë vendin nga imazhi negativ i lidhur me krimin e organizuar dhe duke e shndërruar në një destinacion të rëndësishëm të turizmit luksoz dhe të jahteve.
Rama ndodhet në Mal të Zi për të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që zhvillohet në Tivar.
Çfarë është Porto Montenegro?
Porto Montenegro është një nga projektet më të mëdha turistike dhe detare në rajon, i ndërtuar në qytetin e Tivatit mbi territorin e ish-arsenalit detar jugosllav. Projekti u iniciua nga miliarderi kanadez Peter Munk dhe partnerë të njohur ndërkombëtarë, duke transformuar një zonë industriale të braktisur në një qendër moderne me marina për superjahte, hotele luksoze, rezidenca dhe shërbime turistike të nivelit të lartë.
Sot konsiderohet një nga motorët kryesorë të ekonomisë turistike të Malit të Zi dhe që nga viti 2016 është në pronësi të Korporatës së Investimeve të Dubait (ICD).
