Parlamenti Europian godet Beogradin, kërkon pezullimin e fondeve për Serbinë dhe njohjen urgjente të Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Data

Parlamenti Europian ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Serbisë, duke kërkuar pezullimin e fondeve të Bashkimit Europian për qeverinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për shkak të regresit në sundimin e ligjit, mungesës së reformave demokratike dhe afrimit të vazhdueshëm me Rusinë.

Raporti për Serbinë, i hartuar nga raportuesi i Parlamentit Europian për këtë vend, Tonino Picula, mori mbështetje të gjerë në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE-së. Dokumenti vlerëson se Serbia po largohet nga standardet europiane, duke forcuar marrëdhëniet me Moskën, duke mos harmonizuar politikën e jashtme me BE-në dhe duke lejuar aktivitetet e aktorëve pro-rusë në territorin e saj.

Sipas raportit, ekzistojnë shqetësime serioze se Serbia është shndërruar në një qendër operative për aktivitete hibride ruse në Europë. Eurodeputetët theksojnë se individë të lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës janë përdorur për provokime dhe nxitje tensionesh etnike e fetare në shtete të ndryshme anëtare të BE-së.

Një tjetër kritikë e fortë lidhet me refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve europiane ndaj Rusisë. Raporti thekson se Serbia duhet të bëjë një zgjedhje të qartë strategjike nëse dëshiron të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Rruga europiane e Serbisë kërkon një zgjedhje të qartë strategjike. Politika e balancimit mes BE-së dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë nuk është në përputhje me pritshmëritë ndaj një vendi kandidat”, thuhet në dokument.

Raportuesi Tonino Picula deklaroi se situata në Serbi është përkeqësuar gjatë vitit të fundit, me dobësim të institucioneve demokratike, kufizim të lirive civile dhe pengesa të vazhdueshme në procesin e integrimit europian.

Në raport kërkohet gjithashtu që Komisioni Europian të pezullojë fondet nga instrumentet financiare të BE-së për Serbinë derisa të ketë progres konkret në sundimin e ligjit dhe përafrimin me politikat europiane.

Ndërkohë, në të njëjtën mbledhje, Parlamenti Europian miratoi edhe raportin për Kosovën. Dokumenti u bën thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros – që ta bëjnë këtë sa më shpejt.

Raporti kërkon gjithashtu që Kosovës t’i hapet rruga për statusin e vendit kandidat në BE, ndërsa Prishtinës i kërkohet të zbatojë detyrimet e marra në dialogun me Serbinë, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Nga ana tjetër, Serbisë i kërkohet të ndalojë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të tregojë angazhim real në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Raporti pritet të kalojë për votim në seancën plenare të Parlamentit Europian, ku do të shqyrtohet nga të gjithë eurodeputetët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related