Protestuesit shpërndahen në Tiranë pas tubimit për Zvërnecin, thirrje qytetarëve t’u bashkohen

Data

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë kundër projektit të resortit në Zvërnec, grupe protestuesish janë shpërndarë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke vijuar thirrjet për mobilizim qytetar.

Një pjesë e protestuesve u rikthyen në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë lëvizën në rrugët kryesore të Tiranës, ku u bënë thirrje qytetarëve që ndodheshin në kafene, ambiente publike apo në automjete t’u bashkoheshin protestave.

Sipas raportimeve nga terreni, disa protestues ndaluan përkohësisht qarkullimin e automjeteve në disa segmente rrugore, ndërsa një grup tjetër u drejtua pranë selisë së Partisë Socialiste. Po ashtu, pjesëmarrës të tjerë marshuan drejt zonës së “Bllokut”, duke kërkuar mbështetje nga qytetarët.

Gjatë lëvizjeve në qytet u dëgjuan thirrje dhe slogane kundër projektit në Zvërnec, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.

Protestat kundër investimit të planifikuar në Zvërnec kanë hyrë në ditën e katërt radhazi, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë transparencë të plotë dhe rishikim të projektit në zonën e mbrojtur bregdetare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related