Mbyllet protesta për Zvërnecin, qytetarët paralajmërojnë: Nesër rikthehemi sërish në shesh

Data

Pas rreth tre orësh tubim dhe përplasjesh me forcat e rendit, është mbyllur protesta e katërt radhazi kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Organizatorët dhe qytetarët pjesëmarrës kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe nesër, duke njoftuar një tjetër grumbullim në orën 18:00.

Tubimi i kësaj të mërkure u shoqërua me tensione që në nisje, pasi policia kishte vendosur gardhe metalike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe forca të shumta sigurie pranë institucioneve shtetërore. Pavarësisht pengesave, protestuesit arritën të bashkohen, ndërsa gjatë përplasjes me efektivët u përdorën edhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës.

Gjatë protestës u artikuluan thirrje kundër projektit në Zvërnec, si dhe slogane politike që kërkonin dorëheqjen e qeverisë dhe kritikonin klasën politike në tërësi. Mes thirrjeve më të dëgjuara ishin: “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Opozitë e shitur”.

Qytetarët dhe aktivistët kundërshtojnë projektin duke argumentuar se ai cenon një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore dhe natyrore. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron investimin një projekt strategjik që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.

Protestuesit kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related