Mungesa e kryebashkiakes së Vlorës ndez debat në Komision, Zhupa: Fshihet nga pyetjet për Zvërnecin, Mazniku: S’jemi këtu për gjyq

Data

Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u përfshi në debate politike këtë të mërkurë, pas mungesës së kryebashkiakes së Vlorës, Brunilda Mersini, në seancën dëgjimore me drejtuesit vendorë.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cilësoi të pajustifikuar mungesën e Mersinit, duke e lidhur atë me zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe protestat kundër projektit të investimit në zonë. Sipas Zhupës, kryebashkiakja po shmang përballjen me pyetjet mbi menaxhimin e situatës dhe përdorimin e fondeve publike.

Ajo kërkoi që Komisioni të caktojë një tjetër datë për dëgjimin e kryebashkiakes së Vlorës, duke theksuar se përfaqësuesit vendorë duhet të japin llogari para institucioneve parlamentare.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, kundërshtoi deklaratat e opozitës, duke sqaruar se Komisioni për Reformën Territoriale nuk është organ hetimor dhe nuk ka kompetenca për të thirrur me detyrim kryetarët e bashkive.

“S’jemi këtu për t’u bërë gjyqin kryetarëve të bashkive. Ky është një komision dëgjimor që mbledh mendime dhe propozime për reformën territoriale”, u shpreh Mazniku.

Ai shtoi se kryetarët e bashkive janë institucione të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët dhe mund të ftohen për të dhënë opinione, por jo për t’iu nënshtruar një procesi hetimor parlamentar.

Përplasja vjen në një moment kur debati për projektin në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara në Vlorë kanë rritur tensionet politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related