Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes miqësore mes kombëtares së Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin Air Albania Stadium.
Për shkak të fluksit të tifozëve dhe masave të sigurisë, duke nisur nga ora 16:00 do të ketë kufizime të qarkullimit në disa nga akset kryesore pranë stadiumit. Të bllokuara do të jenë segmente të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri”.
Ndërkohë, Policia ka sqaruar se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin normal të automjeteve.
Në hyrjet e stadiumit do të zhvillohen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara, si fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, objekte metalike, çakmakë, karikues celularësh dhe materiale me përmbajtje raciste apo provokuese.
Autoritetet u bëjnë thirrje tifozëve të paraqiten pranë stadiumit që nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata para fillimit të takimit.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv janë angazhuar qindra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët do të monitorojnë situatën dhe do të ofrojnë asistencë për qytetarët dhe tifozët gjatë gjithë mbrëmjes.
