Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në Zvërnec, duke kritikuar ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama mbi projektin turistik që ka shkaktuar debate dhe protesta.
Në fjalën e tij, Berisha përdori tone ironike ndaj Ramës, duke kundërshtuar deklaratat e kryeministrit për investimin në Zvërnec dhe mënyrën se si qeveria po menaxhon situatën.
“Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, por ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim, po e largoni”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Ai theksoi se PD mbështet respektimin e plotë të së drejtës së pronës dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar pretendimet e banorëve lidhur me çështjet e pronësisë në zonën e Zvërnecit.
Duke iu referuar incidentit të ndodhur gjatë protestës, Berisha akuzoi kompaninë private të sigurisë dhe autoritetet për mënyrën e ndërhyrjes ndaj protestuesve.
“Qytetari u rrëmbye barbarisht dhe u zvarrit, ndërsa më pas u pretendua se kishte hyrë vetë në territor. Pamjet filmike treguan të kundërtën”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se qeveria po përdor standarde të dyfishta ndaj protestuesve dhe e krahasoi situatën me raste të tjera protestash në vend, duke pretenduar se janë cenuar të drejtat e qytetarëve.
Debati për Zvërnecin vijon të dominojë jetën politike në vend, ndërsa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë intensifikuar si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij.
