Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të pazakontë gjatë fjalës së tij për projektin në Zvërnec, duke pranuar se për herë të parë ka menduar mundësinë e largimit nga politika për shkak të klimës së debatit dhe akuzave që, sipas tij, janë ngritur ndaj qeverisë.
Duke folur para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se fushata e shpifjeve dhe akuzave të vazhdueshme e ka bërë të reflektojë mbi vijimin e angazhimit të tij në krye të vendit.
“Një më një. Bëjnë përditë krimin e helmimit të njerëzve me shpifje. Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat greke aleatë me ju? Ka diçka që nuk shkon”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se kjo situatë e ka bërë të mendojë edhe për dorëheqjen.
“Kjo është ndjesia ime dhe për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë dhe t’ju lë e të iki në katund”, deklaroi Rama.
Megjithatë, ai theksoi se ka vendosur të vazhdojë detyrën dhe të çojë përpara projektet që, sipas tij, lidhen me zhvillimin e vendit dhe integrimin europian.
“Kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë: të udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa edhe ju dhe të vazhdoj rrugën që kemi nisur bashkë”, tha kryeministri.
Deklarata vjen në kulmin e debatit publik mbi projektin turistik në Zvërnec dhe protestat e fundit që kanë shoqëruar nisjen e punimeve në zonë, çështje që ka shkaktuar reagime të forta politike, mjedisore dhe diplomatike.
