Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kundërshtimet ndaj projektit zhvillimor në zonën e Zvërnecit kanë kaluar përtej debatit mbi investimin dhe, sipas tij, po përdoren për sulme politike dhe nxitje të urrejtjes.
Duke komentuar protestat dhe debatet e fundit, Rama theksoi se e drejta për të protestuar është një liri themelore që qeveria e ka mbrojtur në çdo rast.
“E drejta për të protestuar nuk mund të vihet në diskutim në asnjë mënyrë në këtë vend. Është një e drejtë që e kemi mbrojtur që nga dita e parë, edhe në raste kur ka pasur pasoja dhe dëmtime serioze për punonjësit e policisë,” u shpreh ai.
Megjithatë, sipas kreut të qeverisë, situata ndryshon kur protestat shoqërohen me akuza politike dhe narrativa që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione përtej çështjes konkrete të projektit.
Rama përmendi gjithashtu rastin e zonës së Rrjoll, duke theksuar se edhe aty bëhej fjalë për prona private, ndërsa debatet publike kanë marrë shpesh karakter politik.
“Kur sulmet politike ndaj projektit shoqërohen me predikim urrejtjeje ndaj shteteve të tjera ose me pretendime për ndërhyrje të forcave të jashtme, atëherë kemi hyrë në një territor shumë të ndryshëm nga debati normal për një investim,” deklaroi Rama.
Lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestës në Zvërnec, kryeministri vlerësoi reagimin e institucioneve. Sipas tij, drejtuesi i Policisë së Shtetit ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përfshirë pezullimin e drejtuesve vendorë të policisë në Vlorë dhe nisjen e hetimeve ndaj zinxhirit komandues.
Ai shtoi se janë marrë masa edhe ndaj kompanisë private të sigurisë së përfshirë në ngjarje, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për përgjegjësitë e mundshme.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec vijon të shkaktojë debate të forta politike, mjedisore dhe sociale, me aktivistë dhe organizata që kërkojnë më shumë transparencë mbi ndikimin e tij në zonën e mbrojtur të bregdetit të Vlorës.
