Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, i është drejtuar me një mesazh Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke theksuar rëndësinë e unitetit brenda opozitës dhe përqendrimit te objektivi strategjik i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mesazhin e tij, Beyer shprehu keqardhjen që nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm në Tiranë, por nënvizoi se po e ndiqte me vëmendje zhvillimin e punimeve të Kuvendit.
“Me mendje dhe me zemër jam me ju. Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur”, u shpreh ai.
Deklarata e deputetit gjerman ka ngjallur diskutime, pasi është interpretuar nga media dhe analistë si një referencë ndaj debatit të brendshëm për drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokratike. Megjithatë, në mesazhin e tij Beyer nuk përmendi asnjë emër konkret dhe nuk bëri thirrje të drejtpërdrejtë për largimin e askujt nga drejtimi i partisë.
Përfaqësuesi i CDU-së vuri theksin te sfidat që Shqipëria ka përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke kërkuar nga opozita që të ushtrojë me seriozitet rolin e saj politik.
“Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme. Të gjithë duhet të përqendroheni te një qëllim i vetëm: integrimi në Bashkimin Europian”, theksoi ai.
Sipas Beyer, pritshmëritë e partnerëve europianë ndaj Partisë Demokratike mbeten të larta, ndërsa opozita duhet të ofrojë një alternativë të besueshme për qytetarët shqiptarë.
“Duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të ofroni një udhëheqje që i hap rrugën Shqipërisë drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur”, deklaroi deputeti gjerman.
Në përfundim të mesazhit të tij, Beyer përcolli urimet e CDU-së për suksesin e Kuvendit Kombëtar dhe ritheksoi mbështetjen e forcës politike gjermane për Partinë Demokratike dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
