Partia Demokratike zhvillon sot Kuvendin Kombëtar nën sloganin “Ripërtëritje”, në një moment që konsiderohet vendimtar për të ardhmen e opozitës. Në fokus të mbledhjes do të jenë ndryshimet statutore, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar dhe riformatimi i strukturave drejtuese të partisë.
Punimet e Kuvendit pritet të hapen me fjalimin e kryetarit të rikonfirmuar të PD-së, Sali Berisha, ndërsa delegatët do të votojnë edhe për ndryshimet që prekin procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe përfaqësimin e grave dhe diasporës në strukturat e partisë.
Megjithatë, vëmendja është përqendruar edhe te deklaratat e deputetit Gjin Gjoni, i cili ka kërkuar hapje dhe riformatim të Partisë Demokratike, duke theksuar se qytetarët presin ndryshim dhe figura të reja në drejtim.
Sipas Gjonit, PD duhet të reflektojë pas rezultatit zgjedhor dhe të ndërtojë një ekip drejtues që frymëzon më shumë besim te demokratët dhe qytetarët. Deklaratat e tij janë interpretuar si një kërkesë indirekte për ndryshime në nivelet më të larta drejtuese të partisë.
Kuvendi vjen vetëm pak ditë pasi Berisha u rizgjodh në krye të demokratëve, ndërsa pritshmëritë janë që forumi më i lartë i partisë të japë sinjale të qarta për strategjinë opozitare dhe organizimin e katër viteve të ardhshme.
Me debatet për reformimin e strukturave dhe kërkesat për rinovim, Kuvendi i sotëm pritet të jetë një nga më të rëndësishmit për Partinë Demokratike në vitet e fundit.
