Presidenti amerikan, Donald Trump, i është nënshtruar kontrollit të tij të radhës mjekësor, ndërsa rezultatet e publikuara kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
Raporti i firmosur nga mjeku personal i presidentit tregon se Trump ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është plotësisht i aftë për të ushtruar detyrën e tij. Ekzaminimet janë kryer në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed, ku ai iu nënshtrua një sërë testesh të detajuara, përfshirë kontrolle të zemrës, skanime dhe vlerësime të tjera parandaluese.
Në vlerësim morën pjesë 22 specialistë, të cilët arritën në përfundimin se funksionet fizike dhe njohëse të presidentit mbeten në nivele shumë të mira.
Megjithatë, raporti evidenton edhe një rritje të peshës së Trump, çka ka bërë që mjekët t’i rekomandojnë ndryshime në dietë dhe më shumë aktivitet fizik.
Vetë presidenti u shpreh i kënaqur pas përfundimit të kontrolleve, duke deklaruar se gjithçka kishte shkuar “në mënyrë perfekte”, ndërsa raporti e përshkruan gjendjen e tij të përgjithshme si “të shkëlqyer”.
