Deputetja e Partia Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar pas protestës së operatorëve turistikë detarë në Ksamil, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e një zgjidhjeje nga autoritetet vendore në prag të sezonit turistik.
Përmes një deklarate publike, Zhupa kritikoi Bashkinë e Sarandë për mungesën e dialogut me bizneset që operojnë në sektorin e turizmit detar, ndërsa kundërshtoi vendbazimet e propozuara për mjetet ujore, duke argumentuar se ato ndodhen larg zonave turistike dhe në pika që paraqesin vështirësi për lundrimin.
“Është e papranueshme që bashkia ende të mos ketë dhënë zgjidhje dhe të mos ulet në dialog me operatorët turistikë detarë të Ksamilit. Vendbazimet e propozuara larg zonave turistike dhe në pika problematike për lundrimin nuk janë zgjidhje reale për punën e tyre”, u shpreh Zhupa.
Deputetja theksoi se siguria e qytetarëve dhe pushuesve duhet të mbetet prioritet absolut, por paralelisht duhet të garantohet edhe funksionimi normal i bizneseve që mbështesin ekonominë lokale dhe industrinë turistike.
Sipas saj, zhvillimi i turizmit kërkon bashkëpunim mes institucioneve dhe operatorëve privatë, jo vendimmarrje të njëanshme apo mungesë komunikimi.
“Në fushata elektorale i takojnë menjëherë dhe u kërkojnë mbështetje, ndërsa sapo kalojnë zgjedhjet, përballë qytetarëve dhe bizneseve nxjerrin vetëm policinë. Turizmi nuk zhvillohet me arrogancë dhe mungesë komunikimi, por me bashkëpunim, rregulla të qarta dhe respekt për njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë lokale”, deklaroi ajo.
Zhupa i bëri thirrje Bashkisë Sarandë që të organizojë sa më shpejt një tryezë diskutimi me operatorët turistikë për të gjetur një zgjidhje funksionale, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme po sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike në kulmin e sezonit veror.
Debati për vendbazimet e mjeteve ujore në Ksamil vijon prej javësh, ndërsa operatorët turistikë kërkojnë rishikimin e planit aktual dhe përfshirjen e tyre në procesin e vendimmarrjes.
