Analisti Redi Shehu ka deklaruar se problemet e brendshme të opozitës shqiptare janë shfaqur prej vitesh dhe se sinjalet për nevojën e reformimit të Partia Demokratike kanë qenë të qarta që prej vitit 2021.
I ftuar në një emision televiziv, Shehu u ndal te lëvizja e njohur si “Foltorja”, e iniciuar nga kreu i demokratëve Sali Berisha, duke theksuar se në thelb ajo u prezantua si një nismë për riorganizimin dhe modernizimin e partisë.
“Berisha në vitin 2021 nisi Foltoren me argumentin e modernizimit dhe riorganizimit të partisë. Por edhe sot vazhdojmë të diskutojmë të njëjtat probleme”, u shpreh Shehu.
Sipas analistit, një nga dobësitë kryesore të Partisë Demokratike mbetet mungesa e mekanizmave të fortë të llogaridhënies dhe funksionimit demokratik brenda strukturave të saj.
Ai argumentoi se një forcë politike nuk mund të pretendojë të vijë në pushtet pa ndërtuar më parë struktura funksionale dhe konkurruese brenda vetes.
“Të pretendosh qeverisjen pa ndërtuar një pushtet të brendshëm që garanton llogaridhënie dhe funksionim demokratik është problematik”, tha ai.
Shehu komentoi gjithashtu raportin mes elektoratit opozitar dhe strukturave partiake, duke sugjeruar se ekziston një hendek mes qytetarëve që identifikohen me opozitën dhe organizimit aktual politik të saj.
“Sot mezi i bëjnë 40 mijë anëtarë. Ka një problem mes idesë së popullit opozitar dhe demokrat. Këto dy elemente duhet të bashkohen për t’u kthyer në një shumicë fituese”, deklaroi analisti.
Në analizën e tij, Shehu shprehu bindjen se vetë Berisha ka kontribuar në thellimin e përçarjeve brenda opozitës.
“Berisha ka qenë i pari që ka bërë opozitën kundër opozitës. Fillimisht me Foltoren dhe më pas me zhvillimet e 8 janarit, kur konflikti brenda Partisë Demokratike arriti kulmin”, u shpreh ai.
Sipas Shehut, ndryshimet e deritanishme në opozitë kanë qenë kryesisht formale dhe nuk kanë prekur thelbin e funksionimit politik, çka sipas tij vazhdon të pengojë ndërtimin e një alternative konkurruese përballë mazhorancës.
