Saraçi: BE e certifikon Shqipërinë si vend të korruptuar, reagimet e Gjermanisë dhe Holandës rrëzuan propagandën e qeverisë

Data

Gazetari Romir Saraçi ka deklaruar se reagimet e ambasadave të Gjermanisë dhe Holandës pas zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit europian rrëzuan, sipas tij, propagandën e qeverisë lidhur me progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

I ftuar në një intervistë televizive, Saraçi u shpreh se raportet dhe mesazhet e partnerëve europianë tregojnë qartë problemet që Shqipëria vijon të ketë me korrupsionin, zgjedhjet dhe shtetin e së drejtës.

Sipas tij, procesi i IBAR-it nuk është një sukses i jashtëzakonshëm politik, por një procedurë që vendi duhet ta kishte përmbushur vite më parë.

“Dy reagimet e ambasadave të Gjermanisë dhe Holandës na ulën me këmbë në tokë. Për t’u treguar shqiptarëve që ky IBAR është një proces që Shqipëria, me vullnetin dhe dëshirën e klasës politike, mund ta kishte marrë që në vitin 2015”, deklaroi Saraçi.

Ai shtoi se Bashkimi Europian ka evidentuar problematika serioze në Shqipëri, duke përmendur korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes, kriminalitetin dhe standardet zgjedhore.

“Na certifikon si një vend të korruptuar në qelizat më të larta të qeverisjes. Si një vend që nuk bën zgjedhje, si një vend që eksporton kriminalitet”, u shpreh gazetari.

Saraçi komentoi edhe çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke përmendur emrin e Belinda Balluku, për të cilën tha se mbrojtja politike ndaj saj është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare.

Sipas tij, Shqipëria vijon të përballet me kushte të rëndësishme për integrimin europian dhe se procesi nuk mund të matet me deklarata politike apo “hapje shampanje”.

“BE-ja thjesht na vendosi 32 kushte të tjera dhe na e shkroi në ballë që ju jeni të korruptuar”, tha Saraçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related