Analisti dhe gazetari Lavdrim Lita komentoi atmosferën festive në selinë e Partia Demokratike pas rizgjedhjes së Sali Berisha në krye të partisë, duke theksuar se demokratët duken të bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme.
I ftuar në një studio televizive, Lita u shpreh se PD-ja po shfaq gjithnjë e më shumë një frymë entuziazmi dhe spektakli politik, të shoqëruar me festime dhe fishekzjarre.
“Sot kishte shumë fishekzjarre. Partia Demokratike është kthyer në një parti fishekzjarresh, në bulevard dhe kundër Kryeministrisë. Edhe ditën e diel u festua me njëri-tjetrin, me fishekzjarre”, deklaroi ai.
Sipas analistit, anëtarësia demokrate është e kënaqur me rikthimin e Berishës në krye të partisë, ndërsa deputetët dhe mbështetësit e pritën rezultatin me entuziazëm.
“Janë shumë të lumtur me zotin Berisha kryetar. Anëtarësia e Partisë Demokratike në 96% e votoi zotin Berisha, e duan dhe mendoj që do ecin përpara në fitore të ardhshme në 2027-ën, në 2029-ën, siç kanë pasur fitore në vitet e kaluara”, tha Lita.
Ai përshkroi gjithashtu atmosferën festive në selinë blu, ku sipas tij nuk munguan duartrokitjet, përqafimet dhe festimet me shampanjë e birrë.
“Deputetët e Partisë Demokratike, të gjithë e duartrokitën, e përqafuan, e puthën në faqe, hapën dhe një gotë birrë, shampanjë në seli dhe të gjithë janë të kënaqur dhe të lumtur. Qytetarët sigurisht e shikojnë nga larg këtë festë”, u shpreh ai.
