Deputeti i Partia Demokratike, Enno Bozdo, ka komentuar procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të partisë, menjëherë pas përfundimit të votimit dhe nisjes së numërimit të votave.
Në një deklaratë televizive, Bozdo e cilësoi procesin si një nga më të mirët e zhvilluar ndonjëherë në Partinë Demokratike, sidomos përsa i përket organizimit dhe transparencës.
Sipas tij, procesi është lënë i hapur për mediat dhe votat do të numërohen në qendrat ku janë hedhur, me qëllim garantimin e besueshmërisë së rezultatit.
“Është një ndër proceset më të mira të zhvilluara ndonjëherë në PD. Mund të jetë ndoshta procesi më i mirë nga pikëpamja organizative. Në pikëpamje të organizimit dhe transparencës kemi vendosur një standard të ri”, u shpreh Bozdo.
Ai komentoi edhe tkurrjen e numrit të anëtarëve të partisë, duke e lidhur atë me emigracionin e lartë të shqiptarëve gjatë viteve të fundit.
“Në dy vitet e fundit nga Shqipëria rreth 50 mijë shqiptarë janë larguar. Nuk përjashtohet fakti që një pjesë e madhe e tyre të kenë qenë mbështetës të opozitës”, deklaroi deputeti demokrat.
Lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të referendumit për kryetarin e PD-së, Bozdo bëri me dije se të dhënat paraprake pritet të dalin brenda pak orësh.
“Besoj që brenda një ore ose një ore e pak do të jemi në gjendje të japim një rezultat paraprak. Rreth orës 21:00 do të japim edhe rezultatin e pjesëmarrjes, por edhe rezultatin përfundimtar”, tha ai.
Procesi i votimit në Partinë Demokratike u zhvillua në të gjithë vendin, ndërsa kandidati i vetëm në garë për drejtimin e partisë ishte Sali Berisha.
