Bordi i Transparencës ka vendosur sërish ndryshimin e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, duke ulur çmimin e naftës dhe të benzinës.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 23 maj 2026, çmimi i naftës do të ulet me 2 lekë për litër, ndërsa benzina me 4 lekë për litër.
Nga ora 13:20 e kësaj të shtune:
- nafta do të tregtohet me jo më shumë se 195 lekë/litër në pakicë;
- benzina do të shitet me jo më shumë se 182 lekë/litër në pakicë.
Bordi ka përcaktuar gjithashtu edhe çmimet e shitjes me shumicë:
- gazoili do të tregtohet me maksimum 183 lekë/litër;
- benzina me maksimum 170 lekë/litër.
Në njoftim theksohet se këto çmime do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregut të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh mund të vendoset pezullim aktiviteti.
Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën pragjet e përcaktuara nga Akti Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, ndaj për karburantet do të vijojë të aplikohet niveli i plotë i akcizës prej 100%.
