Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vaksina kundër variantit Bundibugyo të Ebola, që po shkakton shpërthim në Afrikën Qendrore, nuk pritet të jetë e disponueshme për përdorim klinik përpara gjashtë deri në nëntë muajsh.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi gjatë një konference për shtyp se shpërthimi në Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda ka shkaktuar deri tani 139 viktima, ndërsa numri i rasteve të dyshuara vijon të rritet.
Sipas OBSH-së, ekziston dyshimi se sëmundja ka nisur të përhapet muaj më parë, por konfliktet e armatosura dhe situata e pasigurt në provincën Ituri kanë vështirësuar zbulimin dhe kontrollin e saj.
Mbi 100 mijë persona janë zhvendosur nga zona për shkak të dhunës, ndërsa shumë punonjës shëndetësorë janë larguar, duke penguar ofrimin e kujdesit mjekësor dhe monitorimin epidemiologjik.
Tedros theksoi gjithashtu se sëmundje të tjera endemike si malaria dhe tifoja kanë simptoma të ngjashme me fazat e hershme të Ebolës, çka mund të vonojë diagnostikimin e rasteve.
Nga ana tjetër, Vasee Moorthy deklaroi se vaksina më premtuese kundër variantit Bundibugyo përdor të njëjtën platformë biologjike si vaksinat ekzistuese kundër variantit Zaire të Ebolës.
Megjithatë, ai sqaroi se aktualisht nuk ka doza të gatshme për prova klinike.
“Nuk ka doza të disponueshme për testime klinike për momentin dhe vlerësimet tona tregojnë se kjo mund të zgjasë gjashtë deri në nëntë muaj”, tha Moorthy.
Sipas tij, një alternativë tjetër e zhvilluar mbi teknologjinë e përdorur nga vaksina kundër Covid-19 e AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit mund të jetë gati për prova klinike brenda dy deri në tre muajsh, megjithëse ende mungojnë të dhëna të plota mbi efektivitetin e saj në testet tek kafshët.
