Ahmad Vahidi, një nga figurat më të rëndësishme të IRGC, është shfaqur si një nga arkitektët kryesorë të strategjisë ushtarake dhe politike të Iranit në përballjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj.
Me gradën gjeneral brigade, Vahidi mban aktualisht postin e zëvendëskomandantit të përgjithshëm të IRGC-së dhe konsiderohet pjesë e rrethit të ngushtë pranë Mojtaba Khamenei.
Sipas analistëve dhe Institutit për Studimin e Luftës në Uashington, ai ka marrë rol qendror jo vetëm në drejtimin e përgjigjes ushtarake iraniane, por edhe në formulimin e strategjisë negociuese të Teheranit.
Vahidi është një figurë e njohur ndërkombëtarisht edhe për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj tij. Ai kërkohet nga Interpol në lidhje me atentatin ndaj qendrës hebraike AMIA në Buenos Aires në vitin 1994, ku humbën jetën 85 persona. Autoritetet argjentinase e konsiderojnë një nga organizatorët kryesorë të sulmit, ndërsa Irani i ka mohuar vazhdimisht akuzat.
Së fundmi, media rajonale raportoi se Vahidi kishte zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm të Pakistan, Mohsin Naqvi, për të marrë një mesazh nga Uashingtoni lidhur me negociatat e vazhdueshme mes palëve.
Megjithatë, televizioni shtetëror iranian IRIB i mohoi raportimet, duke deklaruar se fotografitë që qarkullonin në rrjet ishin të vitit 2024, kur Vahidi shërbente si ministër i Brendshëm në qeverinë e presidentit të ndjerë Ebrahim Raisi.
Politikisht, Ahmad Vahidi konsiderohet pjesë e kampit konservator të linjës së ashpër në Iran dhe ka mbrojtur vazhdimisht politikën e vetëmbështetjes ushtarake dhe refuzimin e ndikimit perëndimor.
Sipas raportimeve, strategjia aktuale iraniane e mbështetur nga Vahidi fokusohet në dy elementë kryesorë: kontrollin mbi Ngushtica e Hormuzit për të ushtruar presion mbi tregjet globale të energjisë dhe refuzimin e kërkesave amerikane për dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.
