Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje nga dëshmia e Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinaj, gjatë procesit gjyqësor që lidhet me hetimin pasuror ndaj familjes Martinaj.
E ftuar në një emision televiziv, Hoxha deklaroi se familja Martinaj ka paraqitur kërkesë civile në gjykatë për shpalljen e Ervis Martinajt si person të zhdukur, çka më pas mund të sjellë edhe çregjistrimin e tij nga regjistrat civilë.
Sipas gazetares, Mustafa Martinaj ka mbajtur qëndrimin se djali i tij nuk jeton më dhe se autoritetet duhet të zbardhin fatin e tij.
“Ai ka preferuar të flasë pak publikisht, por ka deklaruar se drejtësia duhet të punojë dhe se autoritetet e dinë ku ndodhet Ervis Martinaj, të cilin familja e konsideron të ndjerë”, tha Hoxha.
Në procesin gjyqësor, Mustafa Martinaj është përpjekur të justifikojë pasuritë e familjes, duke argumentuar se të ardhurat e tij janë krijuar nga aktivitete të ligjshme financiare dhe tregtare ndër vite.
Sipas dëshmisë së tij, ai ka punuar në sektorin e ekonomisë dhe financës që prej viteve ’90 dhe ka pasur të ardhura të konsiderueshme.
Gazetarja tregoi se Martinaj ka deklaruar para gjykatës se në vitin 1997 lëvizte me shuma të mëdha parash cash, deri në 800 mijë euro në automjet, edhe gjatë periudhës së trazirave në vend.
Ai ka pretenduar gjithashtu se kishte mundësi financiare për të dërguar të birin për studime në Itali, duke theksuar se Ervis Martinaj ishte nxënës shumë i mirë dhe kishte përfituar edhe bursë studimi.
Sipas Hoxhës, Mustafa Martinaj ka paraqitur dokumente bankare dhe argumente financiare për të justifikuar blerjen e automjeteve luksoze dhe aseteve të tjera të familjes.
Ndërkohë, procesi ndaj pasurive vijon, ndërsa prokuroria synon të provojë se asetet e sekuestruara lidhen me aktivitete të dyshuara kriminale.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
