Besart Xhaferri: 34 viktima në aksidente rrugore janë “bilanc lufte”, duhen masa urgjente për sigurinë

Data

Deputeti i Partia Demokratike, Besart Xhaferri, ngriti alarmin në Kuvend për situatën e sigurisë rrugore në vend, duke e cilësuar numrin e viktimave nga aksidentet si një “bilanc lufte”.

Duke reaguar pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Shkodër, Xhaferri deklaroi se problemi nuk qëndron te monopatinat apo mjetet, por te drejtuesit e papërgjegjshëm që sipas tij qarkullojnë lirshëm në rrugë pa u ndëshkuar.

“Sot në Shkodër kamikazi i radhës shënoi tragjedinë e radhës. Me ardhjen e Skënder Hita në krye të Policisë së Shtetit janë 34 jetë të humbura në aksidentet rrugore”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai tha se situata është kthyer në një emergjencë kombëtare dhe se qytetarët ndihen të pasigurt përballë asaj që e quajti “kamikazë në timon”.

Sipas Xhaferrit, institucionet përgjegjëse kanë dështuar të garantojnë sigurinë në rrugë, ndërsa kritikoi fokusin e autoriteteve vetëm tek gjobat dhe jo tek masat parandaluese.

“Gjobat mbushin arkën e shtetit, por nuk shpëtojnë jetë”, deklaroi ai.

Deputeti i opozitës kërkoi kontrolle më të forta, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për të parandaluar aksidentet fatale, duke paralajmëruar se tragjeditë rrugore po përsëriten vazhdimisht dhe askush nuk është i imunizuar nga rreziku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related