GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Plarent Ndreca për shpalljen të pavlefshme dhe të papërdorshme të përgjimeve të kryera nga SPAK, përpara se ai të regjistrohej zyrtarisht si person nën hetim.
Kërkesa u paraqit nga avokati i Ndrecës, Ermal Yzeiraj, i cili argumentoi se në momentin kur janë kryer përgjimet, prokuroria e konsideronte klientin e tij si person të dyshuar dhe për këtë arsye duhej ta kishte regjistruar si person nën hetim.
Sipas mbrojtjes, regjistrimi do t’i jepte Plarent Ndreca të drejtën për të dhënë shpjegime dhe për të kundërshtuar veprimet hetimore që ai i konsideron të paligjshme.
Nga ana tjetër, prokurorja speciale Dorina Bejko mbrojti qëndrimin se është në kompetencën e prokurorit të përcaktojë momentin kur një person regjistrohet zyrtarisht nën hetim, bazuar në ekzistencën e dyshimeve të arsyeshme dhe provave të mbledhura.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, arsyetoi se legjislacioni nuk parashikon që përgjimet mund të kryhen vetëm ndaj personave të regjistruar zyrtarisht si nën hetim.
Sipas gjykatës, regjistrimi i emrit si person nën hetim përmban elementë formalë dhe substancialë që lidhen me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm dhe është prokurori ai që vendos momentin procedural të këtij regjistrimi.
Pas rrëzimit të kërkesave paraprake, gjykata vendosi çeljen e shqyrtimit gjyqësor. Seanca e radhës është caktuar më 3 qershor, kur prokuroria pritet të paraqesë analizën e provave.
Sipas SPAK, Plarent Ndreca dhe disa ish-zyrtarë të institucioneve të ndryshme dyshohet se kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin arkitektin Gjon Radovani në procedura tenderimi me vlerë rreth 34 milionë lekë.
Në periudhën kur dyshohet se janë kryer veprat penale, Ndreca mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Sqarim: Çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
