Kandidati për ambasador të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Erick Wendt, ka vlerësuar punën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke e cilësuar SPAK-un një institucion “jopolitik, të pavarur dhe të suksesshëm”.
Gjatë dëgjesës, një prej senatorëve amerikanë e cilësoi krijimin e SPAK si një nga shembujt më të mirë të ndihmës amerikane në Shqipëri, duke vlerësuar rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Në përgjigje të pyetjes mbi rolin që SPAK mund të luajë në përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri, Wendt deklaroi se institucioni ka treguar profesionalizëm dhe pavarësi.
“SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm”, u shpreh ai.
Wendt theksoi se prokurorët e SPAK-ut i nënshtrohen proceseve të forta të verifikimit, përfshirë vettingun, testet me poligraf dhe monitorimin nga partnerët ndërkombëtarë.
“Prokurorët që shkojnë në SPAK kryejnë vetting të rëndësishëm, edhe poligraf. Ata monitorohen nga SHBA dhe europianët. Kanë trupën e tyre hetimore, Byroja Kombëtare e Hetimit, prokurorët specialë dhe gjykatat speciale”, deklaroi kandidati për ambasador.
Ai shtoi se, nëse konfirmohet në detyrë, do të mbështesë veprimtarinë e SPAK-ut dhe ruajtjen e pavarësisë së institucionit.
“Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën”, tha Wendt.
Kandidati amerikan përmendi gjithashtu bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve amerikane, duke theksuar se shkëmbimi i informacionit ka qenë transparent dhe ka çuar në procedime penale ndaj personave të përfshirë në aktivitete kriminale dhe operacione ndërkombëtare kundër trafikut të drogës.
