BE dhe SHBA arrijnë marrëveshje të re tregtare, shmanget rritja e tarifave për eksportet europiane

Data

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes së re tregtare, pas muajsh negociatash intensive dhe debatesh politike, duke shmangur një përshkallëzim të ri tarifash mes dy ekonomive më të mëdha perëndimore.

Marrëveshja u arrit në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare të BE-së dhe eurodeputetëve, ndërsa negociatat u koordinuan nga presidenca qipriote e Bashkimit Evropian.

Sipas draftit përfundimtar, BE-ja do të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa në këmbim SHBA-të do të mbajnë një kufi tarifor prej 15% për eksportet europiane.

Pakti mori rëndësi të veçantë pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse marrëveshja nuk ratifikohej deri më 4 korrik, tarifat për automjetet europiane do të rriteshin nga 15% në 25%.

Tashmë, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare pritet të vijojnë me votimet përfundimtare për miratimin e marrëveshjes. Institucionet europiane vlerësojnë se procesi mund të përfundojë brenda afatit, me Parlamentin Evropian që pritet të votojë më 16 qershor, ndërsa më pas do të vijojnë ratifikimet në kryeqytetet europiane.

“Ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të ekuilibruar është në interes të të dyja palëve”, deklaroi ministri i Tregtisë i Qipro, Michalis Damianos.

Edhe pse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar, procesi i ratifikimit u vonua për shkak të kundërshtimeve në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët kishin bllokuar disa herë procedurat, fillimisht pas deklaratave të Trump për Groenlandën dhe më vonë pas vendimit të Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, e cila rrëzoi një pjesë të kuadrit global tarifor të administratës amerikane.

Versioni final i marrëveshjes përfshin disa mekanizma shtesë mbrojtës për BE-në, përfshirë zgjatjen e afatit të saj deri në fund të vitit 2029, në vend të vitit 2028.

Po ashtu, marrëveshja parashikon masa për mbrojtjen e industrive europiane në rast të rritjes së ndjeshme të importeve amerikane, ndërsa Komisioni Evropian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-të nuk respektojnë angazhimet e marra.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related