Është shtyrë sërish në GJKKO seanca gjyqësore për dosjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa pas daljes nga gjykata Jamarbër Malltezi dhe Xhim Begeja hodhën akuza ndaj SPAK dhe kërkuan hetim edhe për kryeministrin Edi Rama.
Malltezi e cilësoi procesin “politik dhe të stisur”, duke pretenduar se prokuroria po fsheh dokumente dhe prova që, sipas tij, tregojnë gjendjen reale të pronës së ish-klubit “Partizani”.
Sipas tij, zona ka qenë e degraduar dhe e zaptuar prej vitesh, ndërsa zhvillimi urban dhe ndryshimi i destinacionit nuk përbëjnë shkelje.
“Pse nuk hetohet kryeministri? Kemi dy ndryshime destinacioni nga Edi Rama, një në vitin 2004 dhe një tjetër në 2006. Më pas kemi lejen e sheshit të ndërtimit në 2007 dhe lejen e ndërtimit në 2008, të gjitha të firmosura nga Rama”, deklaroi Malltezi.
Ai shtoi se ekzistojnë dhjetëra dokumente zyrtare që, sipas mbrojtjes, provojnë se prona ishte e zënë dhe në gjendje të rëndë përpara zhvillimit të saj.
Ndërkohë, Xhim Begeja tha se zhvendosja e fushave sportive është një praktikë normale në zhvillimin urban, duke sjellë si shembull klube të mëdha europiane si Real Madrid dhe Manchester United.
“Vetë zhvillimi urban e kërkon zhvendosjen e klubeve sportive. Po krijohet artificialisht ideja sikur është bërë një shkatërrim i qëllimshëm”, tha Begeja.
Sipas tyre, investimet në zonë janë bërë me fonde private dhe pa dëmtuar banorët ekzistues, ndërsa paralajmëruan kallëzime të reja ndaj Ramës dhe Taulant Balla.
Seanca e radhës për dosjen “Partizani” pritet të zhvillohet në javët e ardhshme.
