“Vendim që çan bllokadën kriminale”, Adriana Kalaja për çështjen e Irena Gjokës: Pikë kthese për drejtësinë shqiptare

Data

Avokatja Adriana Kalaja ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme si një “pikë kthese” për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Në një intervistë televizive, Kalaja deklaroi se vendimi i gjyqtares Marinela Osmani për të mos pranuar pushimin e çështjes dhe për t’i rikthyer SPAK-ut dosjen me mbi 20 detyra hetimore, përbën sipas saj “çarjen e parë të bllokadës kriminale” në sistemin gjyqësor.

Sipas Kalasë, ky vendim është një sinjal pozitiv për rikthimin e besimit te drejtësia dhe një mesazh për prokurorët dhe gjyqtarët që të vendosin ligjin mbi çdo presion apo ndikim politik.

“E shoh si një moment vendimtar për drejtësinë shqiptare. Ky vendim tregon se e drejta dhe e vërteta triumfojnë gjithmonë”, u shpreh ajo.

Kalaja tha se prej vitit 2016 ka ngritur vazhdimisht shqetësime mbi mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe shtoi se vendimi i fundit i GJKKO-së përbën një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së standardeve ligjore.

Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që gjykata, sipas saj, pranoi pretendimet e ngritura nga mbrojtja në seancën e 21 prillit 2026, duke i kthyer ato në detyra konkrete për hetimet e mëtejshme të SPAK.

“Nuk mund të mbrohet e pambrojtshmja. Drejtësia nuk ka mes, ose je në anën e së drejtës ose në anën e padrejtësisë”, deklaroi Kalaja.

Avokatja shtoi se pret që hetimet e mëtejshme të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe transparente, ndërsa paralajmëroi se në vijim do të publikohen të tjera të dhëna dhe argumente lidhur me çështjen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related