Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar kontrata të mundshme me vlerë totale 4.2 miliardë dollarë për shitjen e helikopterëve ushtarakë dhe modernizimin e pajisjeve ekzistuese të Koreja e Jugut, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Sipas autoriteteve amerikane, Seuli do të investojë rreth 3 miliardë dollarë për blerjen e 24 helikopterëve detarë MH-60R “Romeo” Seahawk, të përdorur kryesisht në operacionet kundër nëndetëseve dhe për mbrojtjen detare.
Një tjetër marrëveshje përfshin modernizimin e helikopterëve sulmues AH-64E Apache, të cilët tashmë janë pjesë e arsenalit ushtarak të Koresë së Jugut. Aktualisht, forcat ajrore dhe tokësore koreano-jugore kanë në shërbim 72 njësi Apache.
Departamenti i Shtetit deklaroi se këto marrëveshje do të rrisin aftësinë mbrojtëse të Koresë së Jugut përballë “kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme”, duke e cilësuar Seulin një partner kyç në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Vendimi vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme me Koreja e Veriut dhe rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes Uashingtonit dhe Seulit.
Në nëntor 2025, presidenti koreano-jugor Lee Jae-myung premtoi gjatë një takimi me Donald Trump se Koreja e Jugut do të blejë pajisje ushtarake amerikane me vlerë 25 miliardë dollarë deri në vitin 2030.
Përveç kësaj, Seuli është zotuar të investojë edhe 33 miliardë dollarë shtesë për mbështetjen e forcave amerikane të dislokuara në gadishullin Korean. Aktualisht, SHBA kanë rreth 28,500 trupa të stacionuara në Korenë e Jugut.
Presidenti Trump ka kërkuar vazhdimisht nga aleatët e SHBA-së të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, duke argumentuar se Uashingtoni mban barrë disproporcionale për sigurinë globale.
Nga ana tjetër, presidenti Lee ka deklaruar se mbështet rifillimin e dialogut me Phenianin, megjithëse marrëdhëniet mbeten të tensionuara. Dy Koretë janë teknikisht ende në gjendje lufte që nga përfundimi i konfliktit Korean të viteve 1950–1953, i cili përfundoi vetëm me armëpushim dhe jo me traktat paqeje.
Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump zhvilloi tri takime me udhëheqësin verikorean Kim Jong Un, por negociatat nuk janë rifilluar që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
