Irani po zgjeron strategjinë e tij të presionit në Gjirin Persik, duke kaluar nga kontrolli i trafikut të naftës drejt një objektivi shumë më delikat: kabllove nënujore që mbajnë në funksion internetin dhe ekonominë dixhitale globale.
Pasi demonstroi gjatë konfliktit të fundit se mund të ndikojë në lëvizjen e cisternave në Ngushticën e Hormuzit, Teherani po sinjalizon tani se edhe rrjedha globale e të dhënave mund të përdoret si instrument presioni politik dhe ekonomik.
Sipas deklaratave të lidhura me Gardën Revolucionare iraniane, autoritetet po shqyrtojnë vendosjen e tarifave për kompanitë teknologjike dhe operatorët e telekomunikacionit që përdorin kabllot me fibra optike që kalojnë në rajonin strategjik të Hormuzit.
Në këtë rrjet mbështeten kompani të mëdha si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon, të cilat përdorin infrastrukturën globale të kabllove për shërbimet cloud, komunikimet dhe transmetimin e të dhënave.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërhyrje në këto kabllo mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa një ndërprerje interneti. Sistemet bankare, transaksionet financiare ndërkombëtare, tregjet e aksioneve, komunikimet ushtarake, shërbimet cloud dhe zinxhirët globalë të furnizimit varen nga ky rrjet i padukshëm nënujor.
Sipas kompanisë kërkimore TeleGeography, Ngushtica e Hormuzit është një korridor kyç për kabllo të rëndësishme si AAE-1, FALCON dhe Gulf Bridge International, që lidhin Europën, Azinë, Gjirin Persik dhe Afrikën.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se lëvizja e Iranit nuk do të thotë domosdoshmërisht se një sabotim i kabllove është i afërt. Më shumë, ajo shihet si pjesë e përpjekjeve të Teheranit për të zgjeruar “arsenalin” e presionit strategjik ndaj Perëndimit.
Deri më tani, kërcënimi kryesor i Iranit ishte bllokimi i eksporteve të naftës. Tani, sipas analistëve, Teherani po sinjalizon se mund të përdorë edhe rrjedhën globale të informacionit si armë presioni në konfliktet gjeopolitike.
