“Për Drejtorin e Sarandës Kryqëzim Publik, Ndërsa Në Devoll Ligji Fle: Dyfytyrësia e Frikshme e Shtetit që Po Shkatërron Besimin tek Drejtësia”

Data

”Nga  Arben  Spaho”

Çfarë keni me Drejtorin e Policisë së Sarandës, o zoti Ministër?

Prej tre ditësh e gjithë Ministria e Brendshme është hedhur në sulm kundër tij. E shkarkuan, e turpëruan publikisht, e hodhën në baltë sikur të ishte armiku më i madh i shtetit. Dhe për çfarë? Sepse dikush ndërtoi pa leje diku në territorin që ai mbulonte.

Por pyetja që lind vetvetiu është kjo: ku është ky zell i verbër i ligjit kur qytetarët e zakonshëm kërkojnë ndihmë? Ku fshihet shteti kur padrejtësia ndodh për vite me radhë përpara syve të policisë?

Kam më shumë se tre vite që përballem me një ndërtim pa leje brenda kufirit të pronës sime. E kam denoncuar. Kam thirrur policinë. Kanë ardhur, kanë parë, e kanë ndaluar përkohësisht ndërtimin… dhe pas dy javësh gjithçka ka vazhduar sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Asnjë masë. Asnjë përgjegjësi. Asnjë ligj.

Madje jo vetëm kaq. Sot ajo avlli dhe ajo zgarë hekuri vazhdojnë të qëndrojnë aty, si monument i pafuqisë së shtetit dhe i arrogancës së atyre që ndihen të mbrojtur prej tij.

Kam lajmëruar institucionet. Kam folur “lart”. Askush nuk e vrau mendjen. Askush nuk reagoi. Ligji në Devoll qenka me orar dhe me preferenca.

Por historia bëhet edhe më e rëndë.

Në dhjetor 2025, ndërsa po ecja në mes të fshatit Cangonj me tre bukë në krah, u sulmova pabesisht. Më zuri nga gryka dhe më goditi disa herë me grushte, pa paralajmërim. Vetëm pasi lashë bukët në tokë reagova dhe i dhashë një goditje.

Kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë. Kam përfunduar Masterin. Kam kryer kursin e Policisë së Burgjeve. Për tre muaj jam trajnuar nga drejtues të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Por sot, prej katër muajsh, jam pa punë. Jo sepse jam i paaftë. Jo sepse kam shkelur ligjin. Por sepse disa nënoficerë në Komisariatin e Devollit vendosën të më djegin me një “certifikatë besueshmërie negative”.

Pra, kur vjen puna tek qytetari i zakonshëm, ligji përdoret si shkop. Kurse kur duhet të preken njerëzit e lidhur me sistemin, ligji verbohet, hesht dhe zhduket.

Dhe pikërisht këtu fillon neveria.

Sepse nuk mund të bësh spektakël force me drejtorët e policisë në Sarandë për t’u dukur sikur po pastron shtetin, ndërkohë që në komisariate të tjera mbyll sytë përballë padrejtësive, abuzimeve dhe hakmarrjeve personale.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është selektivitet brutal. Kjo është hipokrizi institucionale.

Dikush tha se Shefi i Komisariatit Sarandë ka tërhequr zvarrë ish-Presidentin Ilir Meta. Mund të jetë e vërtetë ose jo. Por përtej emrave dhe politikës, problemi është më i thellë: shteti po vepron me dy standarde. Një standard për spektaklin publik dhe një tjetër për realitetin e pistë që qytetarët përjetojnë çdo ditë.

Dhe pastaj flasim për Europë.

Por Europa nuk ndërtohet me propagandë, as me shkarkime televizive. Europa fillon aty ku ligji është i barabartë për të gjithë. Aty ku qytetari nuk duhet të lutet për drejtësi. Aty ku policia nuk përdoret për hakmarrje, frikësim apo interesa personale.

Sepse kur një shtet bëhet i fortë vetëm me të dobëtit dhe i verbër me të fortët, ai nuk është më shtet ligjor — është një sistem që ka filluar të kalbet nga brenda.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related