Kancelari gjerman Friedrich Merz ka lëshuar kritika të forta ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës së Donald Trump, duke deklaruar se Amerika nuk është më “vendi i mundësive” si dikur.
Gjatë një konference me të rinj katolikë në Würzburg, Merz tha se sot nuk do t’u rekomandonte fëmijëve të tij të studionin apo të punonin në SHBA për shkak të klimës sociale dhe politike që, sipas tij, është përkeqësuar ndjeshëm.
“Jam një admirues i madh i Amerikës. Për momentin admirimi im nuk po rritet. Sot nuk do t’i këshilloja fëmijët e mi të shkonin në SHBA për t’u arsimuar apo për të punuar”, deklaroi kancelari gjerman.
Ai theksoi se polarizimi politik dhe social në SHBA ka arritur nivele shqetësuese dhe se edhe njerëzit më të arsimuar po përballen me vështirësi për të gjetur punë.
Deklaratat e Merz vijnë në një periudhë tensioni mes Berlinit dhe Uashingtonit, pas mosmarrëveshjeve mbi luftën në Iran, konfliktin në Ukrainë dhe çështjet tregtare mes SHBA-së dhe Europës.
Reagimet nga kampi i Trump ishin të menjëhershme. Richard Grenell, ish-ambasador amerikan në Gjermani dhe aleat i afërt i Trump, e akuzoi Merz se po përdor retorikë anti-Trump dhe se po ndikohet nga “media woke” gjermane.
Ndërkohë, edhe liderja e ekstremit të djathtë gjerman, Alice Weidel, sulmoi kancelarin, duke deklaruar se vetë Gjermania po përballet me krizë ekonomike dhe sociale.
Së fundmi, marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së janë tensionuar edhe pas vendimit të Uashingtonit për tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania dhe rritjen e tarifave për makinat europiane.
Megjithatë, Merz ka theksuar se mbështet vazhdimin e partneritetit transatlantik dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO.
