Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovo, theksoi rëndësinë e stabilitetit institucional dhe avancimit të dialogut me Serbia.
Në deklaratën e saj, Kos kërkoi nga klasa politike në Kosovë që të rikthejë stabilitetin dhe të sigurojë funksionimin normal të institucioneve pas zgjedhjeve.
“Të fuqizojmë integrimin dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së. Kërkoj nga e gjithë klasa politike që të rikthejë stabilitetin dhe të formojë institucione stabile dhe funksionale”, deklaroi ajo.
Komisionerja europiane shtoi se pas funksionalizimit të institucioneve do të rikthehet sërish në Kosovë për të diskutuar tema të tjera me rëndësi për procesin europian të vendit.
“Funksionalizimi i institucioneve është shumë me rëndësi”, u shpreh Kos.
Ajo u ndal edhe te Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
“Besoj se ky do të jetë një vit dhe një pikë kthese në marrëdhëniet tona”, tha komisionerja.
Një tjetër fokus i deklaratës së saj ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ajo kërkoi përparim konkret.
“Dialogu me Serbinë, kërkohet të zgjidhen të gjitha çështjet me Serbinë”, deklaroi Kos.
Në fund, ajo ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Europian për perspektivën europiane të Kosovës.
“Kosova ka bërë shumë në periudhat e fundit dhe akoma mund të bëhet më shumë. Kosova dhe BE ndajnë një fat të përbashkët. BE mbetet e përkushtuar ndaj të ardhmes europiane të Kosovës”, përfundoi ajo.
