Marta Kos do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Prishtina, vizita e saj e parë në Kosovë që prej marrjes së detyrës në vitin 2024.
Sipas raportimeve të KosovaPress, Kos do të mbërrijë në Prishtinë direkt nga Londra dhe gjatë qëndrimit të saj do të zhvillojë tre takime kryesore.
Takimi i parë pritet të jetë me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa më pas komisionerja europiane do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ndryshe nga praktikat e zakonshme diplomatike, vizita nuk parashikon takim me përfaqësues të opozitës, por me aktorë të shoqërisë civile në Kosovë.
Vizita e Martës Kos zhvillohet në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën, vetëm tre javë para zgjedhjeve të reja parlamentare të planifikuara për 7 qershor.
Komisionerja e BE-së kishte planifikuar një vizitë në Kosovë edhe më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike në vend, pas shpërndarjes së Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, pasi institucionet nuk arritën të zgjidhnin kreun e shtetit brenda afatit kushtetues.
Sipas agjendës së publikuar deri tani, Kos nuk ka planifikuar vizita në vende të tjera të rajonit para apo pas qëndrimit në Kosovë.
