Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet dhe debatet e fundit brenda Partia Socialiste e Shqipërisë, gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ku u ndal veçanërisht te qëndrimet publike të Elisa Spiropali dhe Erion Braçe.
I pyetur nga gazetari Nikoll Lesi nëse “po zien kazani” brenda PS-së, Rama minimizoi tensionet dhe tha se qëndrimet e Braçes nuk përbëjnë lajm, pasi sipas tij deputeti socialist ka qenë gjithmonë i njëjtë.
“Erion Braçja ka qenë ai që është dhe do mbetet ky që është. Është ekzaktësisht një njeri që është vetvetja”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se kushdo që përpiqet të imitojë stilin e Braçes, sipas tij, “bën gabim”.
Në fokus të intervistës ishte edhe Elisa Spiropali, e cila javët e fundit ka publikuar mesazhe dhe deklarata që janë interpretuar si kritike ndaj zhvillimeve brenda partisë. I pyetur nëse Spiropali rrezikon përjashtimin, Rama tha se deklaratat e saj nuk duhen marrë “literalisht”.
“Kush thotë ‘hajde, këtu më ke, më vrit’, e thotë ngaqë të do apo jo?”, tha ai.
Më tej, kryeministri la të kuptohet se kontributet politike ndikojnë në mënyrën si trajtohen gabimet brenda partisë, duke përdorur një paralajmërim të tërthortë.
“Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan”, deklaroi Rama.
Ai shmangu të komentojë drejtpërdrejt nëse Spiropali ka kaluar “vijat e kuqe”, duke e cilësuar debatin më shumë si interpretim mediatik sesa krizë reale brenda PS-së.
Intervista vjen në një moment kur debatet dhe qëndrimet publike të disa figurave socialiste kanë nxitur diskutime për raportet dhe balancat brenda mazhorancës qeverisëse.
