Një punëtor 47-vjeçar ka humbur jetën pas një zjarri masiv që shpërtheu në një fabrikë të prodhimit të bio-naftës në Mersin, në jug të Turqia.
Sipas mediave turke, zjarri nisi për shkaqe ende të paqarta në një kompani të mbushjes së karburantit në zonën Kazanli, në distriktin Akdeniz.
Pas shpërthimit fillestar, flakët përfshinë rezervuarët e karburantit, duke krijuar një situatë të rrezikshme dhe re të dendura tymi të zi që u panë nga kilometra larg.
Punëtori 47-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi ra nga një lartësi rreth 20 metra gjatë incidentit. Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Ndërhyrja e parë për shuarjen e flakëve u krye nga ekipet e sigurisë së fabrikës, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën forca të shumta zjarrfikëse dhe ekipe emergjence.
Autoritetet njoftuan se cisternat e karburantit u larguan nga zona për arsye sigurie dhe disa pjesë të fabrikës u evakuuan për të shmangur rrezikun e shpërthimeve të tjera.
Operacioni për neutralizimin e plotë të zjarrit vijon ende, ndërsa hetuesit kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
